Danieli

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12


Kapitull 1

1 Në vitin e tretë të mbretërimit të Jehojakimit; mbretit të Judës, Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, u nis kundër Jeruzalemit dhe e rethoi.
2 Zoti atëherë dha në duart e tij Jehojakimin, mbretin e Judës, bashkë me një pjesë të orendive të shtëpisë së Perëndisë, që ai i transportoi në vendin e Shinarit, në shtëpinë e perëndisë së tij dhe i vendosi orenditë në shtëpinë e thesarit të perëndisë së tij.
3 Pastaj mbreti i tha Ashpenazit, kreut të eunukëve të tij, t'i sjellë disa nga djemtë e Izraelit, qofshin prej fisi mbretëror apo prej familjesh fisnike,
4 të rinj që të mos kishin asnjë të metë, por të hijshëm, të pajisur me urti, që të kishin njohuri dhe të mësonin shpejt, që të ishin të aftë të shërbenin në pallatin e mbretit dhe të cilëve të mund t'u mësohej letërsia dhe gjuha e Kaldeasve.
5 Mbreti u caktoi atyre një racion të përditshëm ushqimesh të shijshme nga ato të mbretit dhe verë nga ajo që ai vetë pinte; ata duhet të edukoheshin në tre vjet, në mbarim të të cilëve do të kalonin në shërbim të mbretit.
6 Midis tyre ishin bijtë e Judës: Danieli, Hananiahu, Mishaeli dhe Azaria.
7 Kreu i eunukëve u vuri atyre emra të tjerë: Danielit i vuri emrin Beltshatsar, Hananiahut Shadrak, Mishaelit Meshak dhe Azarias Abed-nego.
8 Por Danieli vendosi në zemër të tij të mos e ndotë veten me ushqimet e shijshme të mbretit dhe me verën që pinte ai vetë; dhe i kërkoi kreut të eunukëve ta lejonte që të mos ndotej.
9 Perëndia bëri që Danieli të gjejë hir dhe dhemshuri te kreu i eunukëve.
10 Kreu i eunukëve i tha pastaj Danielit: "Unë kam frikë nga mbreti, zoti im, që ka caktuar ushqimin tuaj dhe pijen tuaj. Pse ai duhet të shikojë fytyrat tuaja më të trishtuara nga ato të të rinjve të moshës suaj? Kështu do të vinit në rrezik kokën time te mbreti".
11 Atëherë Danieli i tha Meltsarit, që kreu i eunukëve kishte caktuar si të parë mbi Danielin, Hananiahun, Mishaelin dhe Azarian;
12 "Të lutem, vëri në provë shërbëtorët e tu për dhjetë ditë, dhe të na jepen perime për të ngrënë dhe ujë për të pirë.
13 Pastaj të ekzaminohet në praninë tënde pamja jonë dhe pamja e të rinjve që hanë ushqimet e shijshme të mbretit; do të veprosh pastaj me shërbëtorët e tu në bazë të asaj që do të shikosh".
14 Ai e pranoi këtë propozim të tyre dhe i vuri në provë dhjetë ditë.
15 Në mbarim të dhjetë ditëve pamja e tyre dukej më e bukur dhe e kishin mishin më të plotë se të gjithë djemtë që kishin ngrënë gjellët e shijshme të mbretit.
16 Kështu Meltsari u hoqi atyre gjellët e shijshme dhe verën që duhet të pinin dhe u dha perime.
17 Katër të rinjve Perëndia u dha njohuri dhe mend në gjithë letërsinë dhe diturinë; dhe Danieli fitoi njohuri për çdo lloj vegimi dhe ëndrre.
18 Në mbarim të kohës së caktuar nga mbreti që t'ia çonin këta të rinj, kreu i eunukëve i shpuri përpara Nebukadnetsarit.
19 Mbreti foli me ta, por midis tyre nuk u gjet asnjë si Danieli, Hananiahu, Mishaeli dhe Azaria, prandaj këta u pranuan në shërbim të mbretit.
20 Dhe mbi çdo çështje që kërkonte dituri dhe gjykim dhe për të cilat mund t'i pyeste mbreti, i gjeti dhjetë herë më lart se tërë magjistarët dhe astrologët që ishin në tërë mbretërinë e tij.
21 Kështu Danieli vazhdoi deri në vitin e parë të mbretit Kir.


Kapitull 6

1 Mbreti Nebukadnetsar urdhëroi të ndërtohet një figurë prej ari, e lartë gjashtëdhjetë kubitë dhe e gjerë gjashtë kubitë, dhe e ngriti në fushën e Duras, në krahinën e Babilonisë.
2 Pastaj mbreti Nebukadnetsar dërgoi njerëz të mbledhin satrapët, prefektët, qeveritarët, gjykatësit, nëpunësit e thesarit, këshilltarët e shtetit, ekspertët e ligjit dhe tërë autoritetet e krahinave, me qëllim që të vinin në përurimin e figurës që mbreti Nebukadnetsar kishte ngritur.
3 Atëherë satrapët, prefektët dhe qeveritarët, gjykatësit, nëpunësit e thesarit, këshilltarët e shtetit, ekspertët e ligjit dhe tërë autoritetet e krahinave u mblodhën bashkë për përurimin e figurës që kishte ngritur mbreti Nebukadnetsar, dhe qëndruan në këmbë përpara figurës që Nebukadnetsari kishte ngritur.
4 Pastaj kasneci thirri me zë të lartë: "Juve, popuj, kombe dhe gjuhë, ju jepet urdhër që,
5 sapo të dëgjoni zërin e bririt, të flautit, të qestes, të lirës, të salterit, të gajdes dhe të çdo lloji vegle, të bini përmbys për të adhuruar figurën prej ari që ka ngritur mbreti Nebukadnetsar;
6 kushdo që nuk do të bjerë përmbys për të adhuruar, do të hidhet menjëherë në mes të një furre zjarri përvëlues".
7 Kështu, me të dëgjuar tërë popujt zërin e bririt, të flautit, të qestes, të lirës, të salterit dhe të çdo lloji vegle, tërë popujt, kombet dhe gjuhët ranë përmbys dhe adhuruan figurën e artë, që mbreti Nebukadnetsar kishte ngritur.
8 Për këtë arësye në atë çast, disa Kaldeas dolën dhe paditën Judejtë;
9 duke marrë fjalën, i thanë mbretit Nebukadnetsar: "O mbret, jetofsh për jetë!
10 Ti, o mbret, ke nxjerrë një dekret, në bazë të të cilit kushdo që ka dëgjuar zërin e bririt, të flautit, të qestes, të lirës, të salterit, të gajdes dhe të çdo lloji vegle duhet të bjerë përmbys për të adhuruar figurën e artë;
11 dhe ai që nuk bie përmbys dhe nuk adhuron, duhet të hidhet në mes të një furre me zjarr përvëlues.
12 Por ka disa Judej që i ke vënë në krye të administrimit të punëve të krahinës së Babilonisë, Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego, që nuk kanë asnjë konsideratë për ty; nuk u shërbejnë perëndive të tua dhe nuk adhurojnë figurën e artë që ti ke ngritur".
13 Atëherë Nebukadnetsari, i zemëruar dhe i tërbuar, urdhëroi që të sillnin Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon; kështu këta njerëz u çuan para mbretit.
14 Nebukadnetsari u drejtoi atyre fjalën, duke thënë: "Shadrak, Meshak dhe Abed-nego, a është e vërtetë që nuk u shërbeni perëndive të mia dhe nuk adhuroni figurën e artë që unë kam ngritur?
15 Tani, posa të dëgjoni zërin e bririt, të flautit, të qestes, të lirës, të salterit, të gajdes dhe të çdo lloj vegle, në rast se jeni gati të bini përmbys për të adhuruar figurën që unë kam bërë, mirë; por në rast se nuk do ta adhuroni, do t'ju hedhin menjëherë në mes të një furre të ndezur; dhe cila ështe ajo perëndi që do të mund t'ju çlirojë nga duart e mia?
16 Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego iu përgjigjën mbretit, duke thënë: "O Nebukadnetsar, ne nuk kemi nevojë të të japim përgjigje lidhur me këtë.
17 Ja, Perëndia ynë, të cilit i shërbejmë, është në gjendje të na çlirojë nga furra e ndezur, dhe do të na çlirojë nga dora jote, o mbret.
18 Por edhe sikur të mos e bënte, dije, o mbret, që ne nuk do t'u shërbejmë perëndive të tua dhe nuk do të adhurojmë figurën e artë që ti ke ngritur".
19 Atëherë Nebukadnetsari u mbush me inat dhe shprehja e fytyrës së tij ndryshoi ndaj Shadrakut, Meshakut dhe Abed-negos. Duke marrë përsëri fjalën, urdhëroi që furra të ngrohej shtatë herë më shumë se zakonisht.
20 Pastaj urdhëroi disa njerëz të fortë dhe trima të ushtrisë së tij të lidhnin Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon dhe t'i hidhnin në furrën e zjarrit përvëlues.
21 Atëherë këta tre burra i lidhën dhe, me pantallonat e tyre, me tunikën e tyre dhe me gjitha mbulesën e tyre të kokës dhe i hodhën në mes të furrës me zjarr përvëlues.
22 Por me qenë se urdhëri i mbretit ishte i rreptë dhe furra ishte jashtëzakonisht e mbingrohur, flaka e zjarrit vrau njerëzit që kishin hedhur në të Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon.
23 Dhe këta tre burra, Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego, ranë të lidhur në mes të furrës me zjarr përvëlues.
24 Atëherë mbreti Nebukadnetsar, i habitur, u ngrit me nxitim dhe filloi t'u thotë këshilltarëve të tij: "Nuk i kemi hedhur tre burrat të lidhur në mes të zjarrit?". Ata u përgjigjën dhe i thanë mbretit: "Sigurisht, o mbret".
25 Ai foli përsëri: "Ja, unë po shoh katër burra të palidhur, që ecin në mes të zjarrit, pa pësuar asnjë dëm; dhe pamja e të katërtit i përngjan asaj të një biri të Perëndisë".
26 Pastaj Nebukadnetsari iu afrua grykës së furrës me zjarr përvëlues dhe filloi të thotë: "Shadrak, Meshak dhe Abed-nego, shërbëtorë të Perëndisë Më të Lartë, dilni dhe ejani këtu". Atëherë Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego dolën nga mesi i zjarrit.
27 Pastaj satrapët, prefektët, qeveritarët dhe këshilltarët e mbretit u mblodhën për të vërejtur këta burra: zjarri nuk kishte patur asnjë fuqi mbi trupin e tyre, flokët e kokës së tyre nuk ishin djegur, mantelet e tyre nuk ishin dëmtuar dhe as era e zjarrit nuk ishte shtruar mbi ta.
28 Nebukadnetsari filloi të thotë: "Qoftë i bekuar Perëndia i Shadrakut, i Meshakut dhe i Abed-negos, që ka dërguar engjëllin e tij dhe ka çliruar shërbëtorët e tij, që kanë pasur besim tek ai; ata
29 Prandaj unë dekretoj që kushdo, cilitdo populli, kombi o gjuhe që t'i përkasë, që do të flasë keq për Perëndinë e Shadrakut, të Meshakut dhe të Abed-negos, të pritet copë-copë dhe shtëpia e tij të katandiset në një vend plehrash, sepse nuk ka asnjë perëndi që mund të të shpëtojë në këtë mënyrë".
30 Atëherë mbreti bëri që Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego të kenë mbarësi në krahinën e Babilonisë.


Kapitull 7

1 Në vitin e parë të Belshatsarit, mbretit të Babilonisë, Danieli, kur ishte në shtrat, pa një ëndërr dhe pati vegime në mendjen e tij. Pastaj shkroi ëndërrën dhe tregoi thelbin e ngjarjes.
2 Danieli, pra, filloi të thotë: "Unë shikoj në vegimin tim, natën, dhe ja, katër erërat e qiellit tronditnin Detin e Madh,
3 dhe katër kafshë të mëdha po dilnin nga deti, njera ndryshe nga tjetra.
4 E para i ngjante një luani dhe kishte krahë shqiponje. Unë shikoja deri sa ia shkulën krahët, pastaj e ngritën nga toka e vunë të qëndrojë drejt mbi dy këmbët e veta si një njeri dhe iu dha një zemër njeriu.
5 Dhe ja një kafshë tjetër, e dyta, që i ngjante një ariu; ngrihej mbi një krah dhe kishte tri brinjë në gojë, midis dhëmbëve, dhe i thanë: "Çohu, ha shumë mish".
6 Mbas kësaj unë shikoja, dhe ja një tjetër që i ngjante një leopardi, dhe që kishte katër fletë shpendi mbi kurrizin e vet; kafsha kishte katër koka dhe iu dha sundimi.
7 Mbas kësaj, unë shikoja në vegime nate, dhe ja një kafshë e katërt e llahtarshme, e tmerrshme, jashtëzakonisht e fuqishme; kishte dhëmbë të mëdha prej hekuri; hante, thërrmonte dhe shtypte kusurin me këmbë; ishte ndryshe nga të gjitha kafshët e mëparshme dhe kishte dhjetë brirë.
8 Isha duke vërejtur brirët, kur ja, midis tyre filloi të dalë një bri tjetër i vogël, para të cilit tre nga brirët e parë u shkulën; dhe ja, në atë bri ishin disa sy që i përngjanin syve të njeriut dhe një gojë që thoshte gjëra të mëdha.
9 Unë vazhdova të shikoj deri sa u vendosën fronet dhe i Lashti i ditëve u ul. Veshja e tij ishte e bardhë si bora, flokët e kokës së tij ishin si leshi i pastër; froni i tij ishte si flokët e zjarrit dhe rrotat e tij si zjarr përvëlues.
10 Një lumë zjarri rridhte, duke dalë nga prania e tij; mijëra e mijëra njerëz i shërbenin dhe mori dhe mori qëndronin përpara tij. Gjykimi u bë dhe librat u hapën.
11 Atëherë unë shikova për shkak të fjalëve të mëdha që briri thoshte; shikova deri sa u vra kafsha, dhe trupi i saj u shkatërrua dhe u hodh në zjarr për t'u djegur.
12 Sa për kafshët e tjera, u hoq sundimi i tyre por iu lejua atyre një zgjatje e jetës për një periudhë të caktuar kohe.
13 Unë shikoja disa vegime nate, dhe ja mbi retë e qiellit po vinte dikush që i ngjante një Biri njeriu; ai arriti deri te i Lashti i ditëve dhe iu afrua atij.
14 Atij iu dha sundimi, lavdia dhe mbretëria, me qëllim që gjithë popujt, kombet dhe gjuhët t'i shërbenin; sundimi i tij është një sundim i përjetshëm që nuk do të kalojë, dhe mbretëria e tij është një mbretëri që nuk do shkatërrohet kurrë".
15 "Sa për mua, Danielin, fryma ime mbeti e brengosur në mbështjellën e trupit dhe vegimet e mendjes sime më turbulluan.
16 Iu afrova njërit nga ata që ishin aty afër dhe e pyeta mbi të vërtetën që lidhej me tërë këtë punë; dhe ai më foli dhe më bëri të njohur interpretimin e atyre gjërave:
17 "Këto kafshë të mëdha, që janë katër, përfaqësojnë katër mbretër që do të dalin nga toka;
18 pastaj shenjtorët e Shumë të Lartit do të marrin mbretërinë dhe do ta zotërojnë përjetë, në përjetësi".
19 Atëherë dëshirova të mësoj të vërtetën lidhur me kafshën e katërt, që ishte ndryshe nga të gjitha të tjerat dhe jashtëzakonisht e tmerrshme, me dhëmbë prej hekuri dhe me thonj prej bronzi, që hante, thërrmonte dhe shkelte me këmbë kusurin,
20 dhe lidhur me dhjetë brirët që kishte mbi kokë, dhe lidhur me bririn tjetër që i dilte dhe para të cilit kishin rënë tre brirë, domethënë briri që kishte sy dhe gojë për të thënë gjëra të mëdha dhe që dukej më i madh se brirët e tjerë.
21 Unë shikoja dhe po ky bri bënte luftë kundër shenjtorëve dhe i mundte,
22 deri sa arriti i Lashti i ditëve dhe iu dha e drejta shenjtorëve të Shumë të Lartit, dhe erdhi koha në të cilën shenjtorët zotëruan mbretërinë.
23 Dhe ai më foli kështu: "Kafsha e katërt do të jetë një mbretëri e katërt mbi tokë, që do të jetë ndryshe nga të gjitha mbretëritë e tjera, dhe do të hajë tërë tokën, do ta shkelë dhe do ta thërrmojë.
24 Dhjetë brirët janë dhjetë mbretër që do të dalin nga kjo mbretëri; mbas tyre do të dalë një tjetër, që do të jetë ndryshe nga të mëparshmit dhe do të rrëzojë tre mbretër.
25 Ai do të shqiptojë fjalë kundër Shumë të Lartit, do të përndjekë shenjtorët e Shumë të Lartit me qëllim që t'i shfarosë dhe do të mendojë të ndryshojë kohërat dhe ligjin; shenjtorët do të bien në duart e tij për një farë kohe, disa kohë dhe për gjysmën e një kohe.
26 Pastaj do të bëhet gjyqi dhe do t'i hiqet sundimi, i cili do të asgjësohet dhe do të shkatërrohet përjetë.
27 Pastaj mbretëria, sundimi dhe madhështia e mbretërive nën të gjithë qiejt do t'i jepen popullit të shenjtorëve të Më të Lartit; mbretëria e tij është një mbretëri e përjetshme, dhe të gjitha zotërimet do t'i shërbejnë dhe do t'i binden atij".
28 Këtu mbaruan fjalët që më ishin drejtuar. Sa për mua, Danielin, mendimet e mia më turbulluan shumë dhe ndryshova pamje por i ruajta fjalët në zemrën time".


Kapitull 8

1 Në vitin e tretë të mbretërimit të mbretit Belshatsar, unë, Danieli, pata një vegim, pas atij që pata në fillim të mbretërimit.
2 Pashë në vegim dhe, ndërsa po shikoja, më ndodhi të gjëndesha në qytezën e Suzas, që është në krahinën e Elamit; nga vegimi e kuptova që isha pranë lumit Ulai.
3 Ngrita sytë dhe shikova, dhe ja, pranë lumit pashë më këmbë një dash me dy brirë; të dy brirët ishin të lartë, por njëri ishte më i lartë se tjetri, megjithëse më i larti kishte dalë i fundit.
4 Pashë dashin që godiste kundrejt perëndimit, drejt veriut dhe drejt jugut; asnjë kafshë nuk mund t'i rezistonte, askush nuk mund të çlirohej nga pushteti i tij; kështu ai bëri atë që desh dhe u bë i madh.
5 Ndërsa kisha parasysh këtë, ja, ku po vinte nga perëndimi një cjap, që përshkonte tërë sipërfaqen e dheut pa e prekur tokën; cjapi kishte një bri të madh midis syve të vet.
6 Arriti deri te dashi me dy brirë që kisha parë më këmbë përpara lumit, dhe iu hodh kundër me furinë e forcës së tij.
7 E pashë të afrohet dhe të zemërohet kundër tij; pastaj i ra me bri dashit dhe copëtoi dy brirët e tij, ndërsa dashi nuk kishte fuqi për t'i rezistuar; kështu e hodhi për tokë dhe askush nuk mundi ta çlirojë dashin nga pushteti i këtij.
8 Cjapi u bë shumë i madh; por, kur u bë i fuqishëm, briri i tij i madh u thye; në vend të tij dolën katër brirë të mëdhenj, që drejtoheshin drejt katër erërave të qiellit.
9 Nga një prej tyre doli një bri i vogël, që u bë shumë i madh në drejtim të jugut, të lindjes dhe të vendit të lavdishëm.
10 U rrit deri sa arriti ushtrinë e qiellit, bëri të bjerë për tokë një pjesë e ushtrisë dhe e yjeve dhe i shkeli.
11 U ngrit madje deri te komandanti i ushtrisë, i hoqi flijimin e vazhdueshëm dhe vendi i shenjtërores së tij u shemb.
12 Ushtria iu la në dorë bashkë me flijimin e vazhdueshëm, për shkak të shkeljes; ai hodhi për tokë të vërtetën; bëri tërë këto gjëra dhe i shkoi mbarë.
13 Pastaj dëgjova një të shenjtë që fliste, dhe një i shenjtë tjetër i tha atij që fliste: "Deri kur do të vazhdojë ky vegim: ndalimi i flijimit të përditshëm, shkretimi për shkak të paudhësisë, shenjtërorja dhe ushtria të shkelur?"
14 Ai më tha: "Deri dymijë e treqind ditë; pastaj shenjtërorja do të pastrohet".
15 Tani, ndërsa unë, Danieli, e kisha parasysh vegimin dhe përpiqesha ta kuptoja, ja ku po rri para meje dikush që ka pamje burri.
16 Dëgjova pastaj në mes të lumit Ulai zërin e një burri, që bërtiste dhe thoshte: "Gabriel, shpjegoja këtij vegimin".
17 Ai iu afrua vendit ku ndodhesha unë dhe, kur arriti, unë pata frikë dhe rashë me fytyrë. Por ai më tha: "Kuptoje mirë, o bir njeriu, sepse ky vegim ka të bëjë me kohën e fundit".
18 Ndërsa ai fliste me mua, unë rashë në një gjumë të rëndë me fytyrë për tokë, por ai më preku dhe më bëri të ngrihem më këmbë në vendin ku ndodhesha.
19 Dhe tha: "Ja, unë do të të tregoj atë që ka për të ndodhur në kohën e fundit të indinjatës, sepse ka të bëjë me kohën e caktuar të fundit.
20 Dashi me dy brirë, që ti ke parë, përfaqëson mbretërit e Medisë dhe të Persisë.
21 Cjapi leshtor është mbreti i Javanit; dhe briri i madh që ishte në mes të syve të tij është mbreti i parë.
22 Briri i thyer dhe katër brirët që dolën në vend të tij janë katër mbretëri që do të dalin nga ky komb, por jo me të njëjtën fuqi të tij.
23 Në fund të mbretërisë së tyre, kur rebelët do ta kenë mbushur kupën, do të dalë një mbret me pamje të egër dhe i rrahur në dredhitë luftarake.
24 Fuqia e tij do të rritet, por jo për shkak të forcës së tij; do të bëjë shkatërrime të habitshme, do të ketë sukses në ndërmarrjet e tij dhe do të shkatërrojë të fuqishmit dhe popullin e shenjtorëve.
25 Për shkak të dinakërisë së tij do shtohet mashtrimi në duart e tij; do të krenohet në zemër te vet dhe do të shkatërrojë shumë njerëz që janë në siguri; do të ngrihet kundër princit të princave, por do të thyhet jo nga dorë njeriu.
26 Vegimi i mbrëmjeve dhe i mëngjeseve, për të cilin është folur, është i vërtetë. Ti e mban sekret vegimin, sepse ka të bëjë me gjëra që do të ndodhin mbas shumë kohe".
27 Dhe unë, Danieli, e ndjeva veten të sfilitur dhe qeshë i sëmurë disa ditë; pastaj u ngrita dhe u interesova për punët e mbretit. Unë isha i tronditur nga vegimi, por askush nuk e vuri re.


Kapitull 9

1 Në vitin e parë të Darit, birit të Asueros, nga fisi i Mediasve, i cili u bë mbret i Kaldeasve,
2 në vitin e parë të mbretërimit të tij, unë, Danieli, kuptova nga librat numrin e viteve në të cilët, sipas fjalës të Zotit që i ishte drejtuar Jeremia duhet të kryheshin shkretimet e Jeruzalemit, domethënë shtatëdhjetë vjet.
3 E ktheva, pra, fytyrën time drejt Zotit Perëndi, duke e kërkuar me lutje e stërlutje, me agjërim, me thesin dhe me hirin.
4 Kështu bëra lutjen time dhe rrëfimin tim Zotit, Perëndisë tim, duke thënë: "O Zot, Perëndi i madh dhe i tmerrshëm, që e ruan besëlidhjen tënde dhe dhembshurinë tënde me ata që të duan dhe respektojnë urdhërimet e tua,
5 ne kemi mëkatuar dhe kemi vepruar në mënyrë të çoroditur, kemi qenë të këqij dhe u rebeluam, duke u larguar nga urdhërimet e tua dhe nga dekretet e tua.
6 Nuk kemi dëgjuar profetët, shërbëtorët e tu, që u kanë folur në emrin tënd mbretërve tanë, krerëve tanë, etërve tanë dhe tërë popullit të vendit.
7 O Zot, ty të përket drejtësia, por neve turpi i fytyrës ashtu si po ndodh pikërisht sot me burrat e Judës, me banorët e Jeruzalemit dhe me gjithë Izraelin, me ata që janë afër dhe me ata që janë larg, në të tëra vendet ku i ke shpërndarë, për shkak të pabesisë që kanë kryer kundër teje.
8 O Zot, turpi i fytyrës është për ne, për mbretërit tanë, për krerët tanë dhe për etërit tanë, sepse kemi mëkatuar kundër teje.
9 Zotit, Perëndisë tonë, i përkasin mëshira dhe ndjesa, sepse jemi rebeluar kundër tij,
10 dhe nuk kemi dëgjuar zërin e Zotit, Perëndisë tonë, për të ecur sipas ligjeve të tij, që na kishte vënë përpara me anë të shërbëtorëve të tij, profetëve.
11 Po, tërë Izraeli ka shkelur ligjin tënd, ka marrë rrugë të keqe për të mos iu bindur zërit tënd; prandaj ra mbi ne mallkimi dhe nëma e shkruar në ligjin e Moisiut, shërbëtorit të Perëndisë, sepse kemi mëkatuar kundër tij.
12 Kështu ai i bëri realitet fjalët e tij që kishte shqiptuar kundër nesh dhe kundër gjyqtarëve tanë që na kanë qeverisur, duke prurë mbi ne një mjerim të madh, sepse nën tërë qiellin nuk është bërë kurrë diçka që të ngjajë me atë që ka ndodhur në Jeruzalem.
13 Siç është shkruar në ligjin e Moisiut, tërë kjo fatkeqësi na ra mbi kurriz; megjithatë nuk i jemi drejtuar Zotit, Perëndisë tonë, të na kthejë nga paudhësia jonë dhe të kujdesemi për të vërtetën tënde.
14 Prandaj Zoti ka ruajtur rezervë këtë fatkeqësi dhe bëri që të bjerë mbi ne, sepse Zoti, Perëndia ynë, është i drejtë në të gjitha gjërat që bën, ndërsa ne nuk i jemi bindur zërit të tij.
15 Dhe tani, o Zoti, Perëndia ynë, që nxore popullin tënd nga vendi i Egjiptit me dorë të fuqishme dhe i bëre vetes një emër siç është sot, ne kemi mëkatuar, kemi kryer vepra të liga.
16 O Zot, sipas tërë drejtësisë sate, bëj, të lutem, që zemërimi yt dhe tërbimi yt të largohen nga Jeruzalemi, nga qyteti yt, nga mali yt i shenjtë, për mëkatet tona dhe për paudhësitë e etërve tanë. Jeruzalemi dhe populli yt janë bërë objekt qortimi për tërë ata që na rrethojnë.
17 Prandaj dëgjo, o Perëndia ynë, lutjen e shërbëtorit tënd dhe përgjërimet e tij dhe bëj që të shkëlqejë, për hir të Zotit, fytyra jote mbi shenjtëroren tënde që është e shkretuar.
18 O Perëndia im, vër vesh dhe dëgjo; hap sytë e tu dhe shiko shkretimet tona dhe qytetin ku thirret emri yt, sepse ne nuk paraqesim para teje lutjet tona për veprat tona të drejta, por për dhembshuritë e tua të mëdha.
19 O Zot, dëgjo; Zot, fal; Zot, kushtoji kujdes dhe vepro. Mos mëno, për hir të vetvetes, o Perëndia im, sepse emri yt thirret mbi qytetin tënd dhe mbi popullin tënd".
20 Ndërsa unë po flisja akoma, duke u lutur dhe duke rrëfyer mëkatin tim dhe mëkatin e popullit tim të Izraelit dhe po paraqisja lutjen time para Zotit, Perëndisë tim, për malin e shenjtë të Perëndisë tim,
21 po, ndërsa unë po flisja akoma në lutje, ai njeri, Gabrieli, që e kisha parë në vegim në fillim, i dërguar me fluturim të shpejtë, më arriti në orën e blatimit të mbrëmjes.
22 Ai më mësoi, më foli dhe më tha: "Unë kam ardhur tani, o Daniel, që të të vë në gjendje të kuptosh.
23 Në fillim të lutjeve të tua doli një fjalë dhe unë erdha të ta bëj të njohur, sepse ty të duan shumë. Trego kujdes, pra, për fjalën dhe kupto vegimin:
24 Shtatëdhjetë javë janë caktuar për popullin tënd dhe për qytetin tënd të shenjtë, për të t'i dhënë fund shkeljes, për t'i dhënë fund mëkatit, për të shlyer paudhësinë, për të sjellë një drejtësi të përjetshme, për të vulosur vegimin dhe profecinë, për të vajosur vendin shumë të shenjtë.
25 Prandaj dije dhe kuptoje se, që kur ka dalë urdhri të restaurohet dhe të rindërtohet Jeruzalemi deri te Mesia, princi, do të duhen shtatë javë dhe gjashtëdhjetë e dy javë të tjera; ai do të ndërtohet përsëri me sheshe dhe me ledhe, por në kohëra plot ankth.
26 Mbas gjashtëdhjetë e dy javëve Mesia do të vritet dhe askush nuk do të jetë me të. Dhe populli i një princi që do të vijë ka për të shkatërruar qytetin dhe shenjtëroren; fundi i tij do të vijë me një përmbytje, dhe deri në mbarim të luftës janë dekretuar shkatërrime.
27 Ai do të lidhë gjithashtu një besëlidhje me shumë njerëz për një javë, por në mes të javës do t'i japë fund flijimit dhe blatimit; dhe mbi krahët e veprimeve të neveritshme do të vijë një shkatërrues, deri sa shkatërrimi i plotë, që është dekretuar, do të bjerë mbi shkatërruesin".


Kapitull 10

1 Në vitin e tretë të Kirit, mbretit të Persisë, një fjalë iu njoftua Danielit, që quhej Beltshatsar. Kjo fjalë është e vërtetë dhe konflikti i gjatë. Ai e kuptoi fjalën dhe e mori vesh vegimin.
2 Në atë kohë, unë, Danieli, mbajta zi për tri javë të plota.
3 Nuk hëngra ushqime të zgjedhura, nuk futa në gojën time as mish as verë dhe nuk u vajosa aspak, deri sa kaluan tri javë të plota.
4 Ditën e njëzetekatërt të muajit të parë, ndërsa isha në bregun e lumit të madh, që është Tigri,
5 ngrita sytë dhe shikova, dhe ja, një njeri i veshur me rroba liri, me një brez të artë të Ufazit.
6 Trupi i tij ishte i ngjashëm me topazin, fytyra e tij kishte pamjen e rrufesë, sytë e tij ishin si pishtarë flakërues, krahët e tij dhe këmbët e tij dukeshin si prej bronzi të llustruar dhe tingulli i fjalëve të tij ishte si zhurma e një turme.
7 Vetëm unë, Danieli, pashë vegimin, kurse njerëzit që ishin me mua nuk e panë vegimin, por një tmerr i madh ra mbi ta dhe ata ia mbathën që të fshihen.
8 Kështu mbeta vetëm të vërej këtë vegim të madh. Nuk më mbeti kurrfarë force; çehrja e bukur ndryshoi në të zbehtë dhe forcat e mia u ligështuan.
9 Megjithatë dëgjova zërin e fjalëve të tij; por, duke dëgjuar zërin e fjalëve të tij, rashë në një gjumë të thellë me fytyrë për tokë.
10 Por ja, një dorë më preku dhe bëri që unë të rri duke u dridhur i tëri mbi gjunjët dhe mbi pëllëmbët e duarve.
11 Pastaj më tha: "Daniel, njeri shumë i dashur, kupto fjalët që po të them dhe çohu më këmbë, sepse tani më kanë dërguar te ti". Kur më tha këtë fjalë, unë u çova më këmbë duke u dridhur i tëri.
12 Atëherë ai më tha: "Mos ki frikë, Daniel, sepse që ditën e parë që vendose në zemrën tënde të kuptoje dhe të përuleshe para Perëndisë tënd, fjalët e tua u dëgjuan dhe unë erdha si përgjigje e fjalëve të tua.
13 Por princi i mbretërisë së Persisë më kundërshtoi njëzetenjë ditë; por ja, Mikaeli, një nga princat e parë, më erdhi në ndihmë, sepse kisha mbetur atje me mbretin e Persisë.
14 Dhe tani kam ardhur të të bëj të kuptosh atë që do t'i ndodhë popullit tënd në mbarim të ditëve; sepse vegimi ka të bëjë me një kohë të ardhme".
15 Ndërsa më fliste në këtë mënyrë, ula fytyrën për tokë dhe mbylla gojën.
16 Dhe ja, dikush që i ngjante një biri njeriu më preku buzët. Atëherë hapa gojën, fola dhe i thashë atij që më rrint përpara: "Imzot, për këtë vegim më kanë zënë spazmat dhe fuqitë m'u ligështuan.
17 Dhe si mund të fliste një shërbëtor i tillë i zotit tim me një imzot të tillë, sepse tani fuqitë më kanë braktisur dhe më mungon madje edhe frymëmarrja?".
18 Atëherë ai që i ngjante një njeriu më preku përsëri dhe më dha fuqi,
19 dhe tha: "O njeri që të duan shumë, mos ki frikë, paqja është me ty; mblidh forcat e tua, po, mblidh forcat e tua". Mbasi më foli, unë fitova forcë dhe i thashë: "Le të flasë zoti im, sepse ti më ke dhënë forcë".
20 Pastaj më tha: "A e di përse kam ardhur këtu pranë teje? Tani do të kthehem të luftoj kundër princit të Persisë; dhe kur të dal, ja, do të vijë princi i Javanit.
21 Por unë do të të bëj të njohur atë që është shkruar në librin e së vërtetës; dhe nuk ka njeri që të sillet trimërisht me mua kundër tyre përveç Mikaelit, princit tuaj".


Kapitull 11

1 Gjatë vitit të parë të Darit, Medasit, unë vetë qëndrova pranë tij për ta përkrahur dhe për ta mbrojtur.
2 "Dhe tani do të të bëj të njohur të vërtetën. Ja, në Persi do të dalin akoma tre mbretër, por i katërti do të bëhet shumë më i pasur se gjithë të tjerët; kur të jetë bërë i fortë për shkak të pasurive të tij, do t'i ngrerë të tërë kundër mbretërisë së Javanit.
3 Atëherë do të dalë një mbret i fuqishëm që do të sundojë mbi një perandori të madhe dhe do të bëjë çfarë të dojë.
4 Por kur të jetë formuar mbretëria e tij do të copëtohet dhe do të ndahet në drejtim të katër erërave të qiellit, por jo midis trashëgimtarëve të tij dhe as me po atë forcë me të cilën ai mbretëronte, sepse mbretëria e tij do të çrrënjoset dhe do t'u kalojë të tjerëve, dhe jo trashëgimtarëve.
5 Kështu mbreti i jugut do të bëhet i fortë, por një ndër princat e tij do të bëhet më i fortë nga ai dhe do të sundojë; sundimi i tij do të jetë një sundim i madh.
6 Mbas disa vjetëve do të lidhin aleancë; pastaj bija e mbretit të jugut do të vijë te mbreti i veriut për të bërë një marrëveshje, por nuk do ruajë më as forcën e fuqisë së saj, dhe nuk do të mund të zgjasë as ai as pushteti i tij; në ato kohëra ajo do t'i dorëzohet vdekjes bashkë me ata që e kanë çuar, që e kanë lindur dhe që e kanë mbështetur.
7 Por një nga pasardhësit nga rrënja e saj do të dalë dhe do të zërë vendin e saj; ai do të vijë kundër ushtrisë, do të hyjë në fortesat e mbretit të veriut, do të veprojë kundër tyre dhe do të dalë fitimtar.
8 Do të shpjerë gjithashtu si plaçkë në Egjipt perënditë e tyre me figurat e tyre të derdhura dhe me sendet e tyre të çmuara prej argjendi dhe prej ari, dhe për disa vjet do të rrijë larg mbretit të veriut.
9 Ky do të dalë kundër mbretit të jugut, por pastaj do të kthehet në vendin e tij.
10 Bijtë e tij do të përgatiten pastaj për luftë dhe do të mbledhin turma forcash të mëdha, dhe një prej tyre do të dalë me siguri përpara, do të vërshojë si një përmbytje dhe do të kalojë tutje për ta çuar luftën deri në fortesën e tij.
11 Atëherë mbreti i jugut, i tërbuar, do të dalë të luftojë kundër këtij, kundër mbretit të veriut, i cili do të mobilizojë një turmë të madhe, por turma do të bjerë në dorë të armikut.
12 Kur turmën do ta kenë çuar tutje, zemra e tij do të mbushet me krenari; do të mposhtë me mijëra, por nuk do të jetë më i fortë.
13 Në fakt mbreti i veriut do të mobilizojë përsëri një turmë edhe më të madhe se e mëparshmja, dhe pas një kohe të shkurtër do të përparojë me siguri me një ushtri të madhe dhe me pajime të shumta.
14 Në atë kohë shumë njerëz do të ngrihen kundër mbretit të jugut; edhe disa burra të dhunshëm të popullit tënd do të ngrihen për të realizuar vegimin, por do të rrëzohen.
15 Atëherë do të vijë mbreti i veriut, do të ngrerë një ledh dhe do të shtjerë në dorë një qytet të fortifikuar. Forcat e jugut nuk do të mundin t'i rezistojnë; as trupat e zgjedhura nuk do të kenë forcën për t'i rezistuar.
16 Ai që i ka ardhur kundra do të bëjë çfarë të dojë, dhe askush nuk do të mund t'i rezistojë; ai do të ndalet në vendin e lavdishëm duke pasur pushtet të shkatërrojë çdo gjë.
17 Pastaj do të vendosë të vijë me forcat e gjithë mbretërisë së tij, duke ofruar kushte të ndershme paqeje, dhe kështu ka për të bërë. Do t'i japë të bijën për grua për ta korruptuar, por ajo nuk do të mbajë anën e tij dhe nuk do ta favorizojë atë.
18 Pastaj do t'u drejtohet ishujve dhe do të shtjerë në dorë shumë prej tyre, por një komandant do të bëjë që të marrë fund arroganca e tij, duke bërë që ajo të bjerë mbi të.
19 Pastaj do të kthehet drejt fortesave të vendit të vet, por do të pengohet, do të rrëzohet dhe nuk do të gjendet më.
20 Në vend të tij do të dalë dikush që do të dërgojë një tagrambledhës për lavdinë e mbretërisë; por brenda pak ditëve ai do të zhduket, por jo në zemërim a në betejë.
21 Në vend të tij do të dalë një njeri i neveritshëm, që nuk do të ketë dinjitet mbretëror; ai do të vijë paqësisht, por do ta shtjerë në dorë mbretërinë me intriga.
22 Para tij forcat e mëdha do të thyhen dhe do të shkatërrohen, po ashtu edhe kreu i një aleance.
23 Menjëherë pasi të ketë lidhur një aleancë me të, ai do të veprojë me pabesi dhe do të arrijë në pushtet me pak njerëz.
24 Ai do të hyjë në mënyrë paqësore edhe në pjesët më të pasura të krahinës dhe do të bëjë atë që nuk kishin bërë kurrë as etërit e tij as etërit e etërve të tij; do të shpërndajë midis tyre plaçkë, plaçkën e luftës dhe pasuritë dhe do të hartojë plane kundër fortesave, por vetëm për një kohë.
25 Me një ushtri të madhe do t'i nxitë forcat e tij dhe zemrën e tij kundër mbretit të jugut. Mbreti i jugut do të futet në luftë me një ushtri të madhe dhe shumë të fuqishme, por nuk do të mund të rezistojë, sepse do të kurdisen komplote kundër tij.
26 Vetë ata që hanë bashkë me të do ta shkatërrojnë; ushtria e tij do të thyhet dhe shumë do të bien të vrarë.
27 Zemra e këtyre dy mbretërve do të drejtohet për të bërë keq; ata do të flasin gënjeshtra të ulur në të njëjtën tryezë, por gjëja nuk do të ketë sukses, sepse fundi do t'u vijë në kohën e caktuar.
28 Duke u kthyer në vendin e tij me pasuri të mëdha, zemra e tij do të vihet kundër besëlidhjes së shenjtë; kështu ai do të kryejë qëllimet e tij dhe pastaj do të kthehet në vendin e tij.
29 Në kohën e caktuar ai do të dalë përsëri kundër jugut, por këtë herë të fundit puna nuk do t'i vejë mbarë si herën e parë,
30 sepse anijet e Kitimit do të vijnë kundër tij; prandaj ai do të trembet, do të zemërohet përsëri kundër besëlidhjes së shenjtë dhe do të zbatojë planet e tij; kështu përsëri do të merret vesh me ata që kanë braktisur besëlidhjen e shenjtë.
31 Forca të dërguara prej tij do të ngrihen për të përdhosur shenjtëroren fortesë, do të ndalojnë flijimin e përditshëm dhe do të bëjnë veprime të neveritshme që shkaktojnë shkretim.
32 Me lajka ai do të korruptojë ata që veprojnë pabesisht kundër besëlidhjes; por populli i atyre që njohin Perëndinë e tyre do të tregojë qëndresë dhe do të veprojë.
33 Ata që kanë dituri midis popullit do të udhëzojnë shumë të tjerë, por për një kohë të shkurtër do të bien nga shpata, nga zjarri, nga mërgimi dhe nga plaçkitja.
34 Kur do të rrëzohen, do t'u jepet pak ndihmë, por shumë njerëz do të bashkohen me ta pa qenë të sinqertë.
35 Disa nga ata që kanë dituri do të bien, me qëllim që të përsosen, të pastrohen dhe të zbardhen deri në kohën e mbarimit, sepse kjo do të ndodhë në kohën e caktuar.
36 Pastaj mbreti do të veprojë si të dojë, do të lartohet, do të hyjnizohet përmbi çdo perëndi dhe do të thotë gjëra të habitshme kundër Perëndisë të perëndive; do të ketë sukses deri sa të mbushet kupa e indinjatës, sepse ajo që është dekretuar do të bëhet.
37 Ai nuk do të tregojë respekt për Perëndinë e etërve të tij dhe për dëshirën e grave; nuk do të ketë respekt për asnjë perëndi, sepse do të hyjnizojë veten përmbi të gjithë.
38 Por në vend të tyre ai do të nderojë perëndinë e fortesave dhe do të nderojë me ar, me argjend, me gurë të çmuar dhe me gjëra të këndshme, një perëndi, që etërit e tij nuk e njohën.
39 Ai do të veprojë kundër fortesave më të fortifikuara me ndihmën e një perëndie të huaj; do të mbushë me të mira ata që do ta njohin, do të bëjë që të sundojnë mbi shumë njerëz dhe do t'u japë toka si shpërblim.
40 Në kohën e fundit mbreti i jugut do të ndeshet me të, mbreti i veriut do të dalë kundër tij si një shakullimë, me qerre dhe kalorës dhe me shumë anije; do të depërtojë në vendet, do t'i përmbytë dhe do të kalojë tutje.
41 Do të hyjë edhe në vendin e lavdishëm dhe shumë njerëz do të vriten; por këta do të shpëtojnë nga duart e tij: Edomi, Moabi dhe pjesa më e madhe e bijve të Amonit.
42 Ai do të shtrijë dorën edhe mbi vende të ndryshme dhe as vendi i Egjiptit nuk do të shpëtojë.
43 Do të shtjerë në dorë thesaret prej ari dhe argjendi dhe të gjitha gjërat e çmuara të Egjiptit; Libianët dhe Etiopasit do t'i shkojnë pas.
44 Por lajmet e ardhura nga lindja dhe nga veriu do ta turbullojnë; prandaj ai do të niset me zemërim të madh për të shkatërruar dhe vendosur shfarosjen e shumë njerëzve.
45 Do t'i ngrerë çadrat e pallatit të tij midis deteve dhe malit të shenjtë të lavdishëm; pastaj do t'i vijë fundi dhe askush nuk do ta ndihmojë".


Kapitull 12

1 "Në atë kohë do të dalë Mikaeli, princi i madh, mbrojtësi i bijve të popullit tënd; dhe do të jetë një kohë me ankthe, ashtu si nuk ka pasur kurrë që kur se ekzistojnë kombet e deri në atë kohë.
2 Shumë nga ata që flenë në pluhurin e tokës do të zgjohen, disa në një jetë të përjetshme, të tjerë në turpin dhe në poshtërsi të përjetshme.
3 Ata që kanë dituri do të shkëlqejnë si shkëlqimi i kupës qiellore dhe ata që do të kenë çuar shumë në drejtësi, do të shkëlqejnë si yjet përjetë.
4 Por ti, Daniel, mbaji të fshehura këto fjalë dhe vulose librin deri në kohën e mbarimit; shumë njerëz do ta shfletojnë dhe dituria do të shtohet".
5 Pastaj unë, Danieli, shikova, dhe ja, dy të tjerë më këmbë, njeri mbi këtë breg të lumit, dhe tjetri mbi bregun tjetër të lumit.
6 Një nga ata i tha burrit të veshur me rroba liri, që qëndronte mbi ujërat e lumit: "Kur do kryhen këto mrekulli?".
7 Unë dëgjova atëherë burrin e veshur me rroba liri që qëndronte mbi ujërat e lumit, i cili, ngriti dorën e djathtë dhe dorën e majtë drejt qiellit, u betua për atë që jeton përjtë se kjo do të jetë për një kohë, për disa kohëra dhe për gjysmën e një kohë; kur forca e popullit të shenjtë do të thyhet plotësisht, tërë këto gjëra do të kryhen.
8 Unë dëgjova, por nuk kuptova, prandaj pyeta: "Imzot, cili do të jetë fundi i këtyre gjërave?".
9 Ai u përgjigj: "Shko, Daniel, sepse këto fjalë janë të fshehura dhe të vulosura deri kohën e mbarimit.
10 Shumë njerëz do të pastrohen, do të zbardhen dhe do të përsosen; por të pabesët do të veprojnë me pabesi dhe asnjë nga të pabesët nuk do të kuptojë, por do të kuptojnë njerëzit e ditur.
11 Nga koha që do të ndalohet flijimi i përditshëm dhe do të ngrihet neveria që shkakton shkretimin do të kalojnë njëmijë e dyqind e nëntëdhjetë ditë.
12 Lum ai që pret dhe arrin në njëmijë e treqind e tridhjetë e pesë ditë.
13 Por ti shko drejt mbarimit tënd; do të prehesh dhe pastaj do të ngrihesh përsëri për të marrë pjesën tënde të trashëgimisë në mbarim të ditëve".